Si nga legjendat dhe Mitologjia, ashtu edhe nga Bibla dhe Kurani kemi mësuar se çdo popull ka katër kalorës. Ata janë: Historia, Sëmundja; Vdekja dhe i katërti, Fati së bashku me të Vërtetën. Sipas Mitologjisë, kalorësi i parë, Historia, është kalorësi që i tregon popullit të tij se kush është ai, nga vjen, ku dhe si duhet të eci në të ardhmen. Kalorësi i dytë, Sëmundja ose, ndryshe, Satanai, thënë ndryshe e keqja, është kalorësi që i kundërvihet atij të historisë dhe ka për detyrë ta shtyjë popullin në mëkate, ta verë në grindje mes veti.
Këtë mision e kryejnë zakonisht të shiturit nga radhët e tij tek të tjerët ose shtetet dashakeqe ndaj popullit tënd, me qëllim që, ose të asimilohesh si popull ose të zhdukesh dhe, në pamundësi të këtyre, të paktën të mos arrish të gëzosh kurrë respektin dhe përkrahjen e të tjerëve. Ndërsa Kalorësi i Vdekjes është ai, që rri gjithnjë gati, duke pritur veprën e kalorësit të dytë dhe ta marri atë popull, që është i destinuar të asimilohet, e ta çoi në Ferrin e Dantes, në botën e harresës, nga që është i pa aftë të mbijetojë.
Për sa i përket Kalorësit të katërt, që ndryshe quhet Kalorësi i Fatit dhe i së Vërtetës, ai përshkruhet si një kalorës i parzmuar, duke mbajtur në njërën dorë harkun dhe në tjetrën shigjetën. Ky kalorës përfaqëson mbijetesën, i cili i shpjegon popullit të tij të jetë syçelë, nga që në jetë më së shumti ka errësirë, ka satana, ka mashtrues, ka armiq. Me një fjalë ky ka për mision t'ia bëjë të qartë popullit, porosinë e Zotit, po nuk e ndihmove veten, nuk të ndihmoj as unë. Këta lloj kalorës populli i vet i quan: shpëtimtarë.
Harku i këtij luftëtari për jetën, simbolizon - Fatin, ndërsa shigjeta simbolizon të Vërtetën. Me këtë kuptojmë se Fati & Vërteta rrinë gjithnjë bashkë. Meqenëse e vërteta qenka e hidhur dhe ka nevojë për mjekim, Fati ose, ndryshe, Engjëlli i rri pranë, duke e ruajtur gjithnjë të vërtetën për popullin e vetë. Thonë se kalorësi i katërt vjen shumë rrallë, kur ai informohet nga kalorësi i parë për bëmat e padurueshme të kalorësit të dytë. Kjo mitologji ndoshta për këtë arsye është sajuar që popujt ta mësojnë dhe të mos e harrojnë historinë.
E bëmë këtë hyrje për të treguar se, edhe populli shqiptar, e në veçanti ai në Kosovë, ka kalorësit e tij, ka historinë e tij, që është plot bëma të larta, por që historia tregon se më së shumti është përplasur me kalorësit e dytë, të jashtëm e të brendshëm. Me sa duket, Kalorësi i Fatit të Kosovës, Shpëtimtari i saj, ose nuk ka dashur të vinte ose, vetë populli shqiptar në Kosovë nuk ka e ka mësuar e përvetësuar mirë historinë e tij.
Sipas Biblës, Shpëtimtar është vetëm Krishti; sipas Kuranit, Shpëtimtari mund të jetë çdo njeri në mesin e popullit, me të cilin Zoti lidhet drejtpërsëdrejti dhe, kur ky i fundit e kupton drejt, Zoti e shpall Profet. Sipas këtyre librave, Shpëtimtarët vijnë kur është bërë kiameti, kur ai popull ka dalë nga rruga e Zotit, ose është duke dalë prej saj. Me një fjalë, Shpëtimtari vjen kur populli i tij nuk di ose nuk donë të eci në rrugën që kanë ecur të parët e tij. Pra, Shpëtimtari vjen për t'i dalë borxhit popullit të tij, ai vjen në momente të rëndësishme kthesash historike.
Kështu na ndodhi edhe me popullin shqiptar në Kosovë. Shpëtimtari i erdhi atij në momentin që ky popull, i ndarë me forcë prej trungut amë, kish marrë rrugën e djallit dhe po shkonte drejt zhbërjes, drejt shndërrimit nga një popull luftarak, në një popull rob; nga një popull kryengritës në një popull të nënshtruar dhe fshesaxhi i qyteteve të Evropës. Shpëtimtari i erdhi atij populli në kohën kur ai, i joshur nga punët përfituese dhe pa shumë mundim të pastrimit të qyteteve të Evropës, i gënjyer edhe nga propaganda ndjellakeqe e "rezistencës" paqësore, po e shpopullonte Kosovën.
Pikërisht në ato momente doli në skenë Shpëtimtari i Kosovës, i lindur, i rritur dhe i vuajtur mes këtij populli; një njeri i zakonshëm, i munduar si i gjithë populli i tij. Përmes këtij njeriu, popullit tonë iu bë e qartë se, shpëtimin dhe Shpëtimtarin nuk duhet t'i presim nga qielli, sikundër na thotë Bibla, por ta kërkojmë e ta gjejmë në mesin tonë. Këtë e tregoi dalja e Adem Jasharit në skenën e historisë, e këtij Garibaldi shqiptar.
Veprimi i tij dhe i familjes së tij ishte një shigjetë në formën e vetëtimës, që me shkreptimën e saj, e zgjoi nga gjumi këtë popull, ndërsa me dritën e fuqishme të saj i ndriçoi këtij populli rrugën e vërtetë nga duhej të kalonte; i tregoi të kthehej nga rruga që ai kish nisur, pasi ajo ishte rruga ku e çonte kalorësi i tretë, vdekja. Me dritën - zjarr të saj, ajo shigjetë-vetëtimë ndezi zjarrin e Luftës Çlirimtare të Kosovës. "Vetëm lufta e armatosur - i tha Shpëtimtari i tij - është e vetmja ndërhyrje kirurgjikale që mund ta shëroi Kosovën nga sëmundja e zhbërjes". Ndaj me të drejtë mund të themi se Adem Jashari është Shpëtimtari i shqiptarëve në Kosovë, pasi me zjarrin që ndezi dhe dritën që u shpërnda nga ai zjarr, ai u shndërrua në Shpëtimtar. Adem Jasharin kemi të drejtë ta trajtojmë si Gjeni, pasi ai, përmes veprimit praktik i korrigjoi popullit të tij një gabim fatal, i zbuloi dhe i provoi një të vërtetë të hidhur, përmes së cilës e shpëtoi, ndaj do të mbetet një figure që e meriton të përjetësohet me përmendore dhe vepra të tjera. Ai e meriton të trajtohet si Gjeni, pasi përmes aktit të tij heroik ai i solli popullit shqiptar në Kosovë një dobi të pallogaritshme, atëherë kur ai nuk numërohej më ndër të gjallët.
Akti i luftës dhe i vdekjes së Adem Jasharit, përveçse e shënjtëroi atë, njëkohësisht e bëri edhe simbol të Komandantit të asaj lufte, luftë, të cilën e shpërtheu një ditë para se ai të mbushte plot 43 vjeç, më 27 Nëntor 1998.
Me veprimet dhe luftën e tij, ai manifestoi cilësitë e komandanti strateg, që udhëheq e komandon me shembullin e tij, ndaj dhe u shpall Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të popullit të tij, pa dekret apo vendim zyrtar. E cilësuam komandant strateg, për të vetmen arsye se ai i organizoi veprimet luftarake, që erdhën deri te rrethimi i familjes dhe fisit të tij, që armiku ta shpërthente luftën në fillim të dimrit të ashpër në Kosovë, gjë që është e papëlqyer nga ushtritë e shteteve pushtues. Nga ana tjetër, duke qenë se Adem Jashari tregoi një trimëri të pashoqe, që është karakteristike vetëm për legjendat dhe, nga që ai u trajtua për Kosovën si Gjeni, si të tillë, populli ynë e dynatyroi atë, duke i veshur jo vetëm cilësitë e Njeriut të përkryer, por edhe ato të Perëndisë. Për këto arsye Adem Jashari u cilësua edhe Komandant Legjendar, por për historinë mbetet Komandant i Përgjithshëm i Luftës për Çlirimin e Kosovës dhe i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Adem Jashari u shndërrua në Komandant i Përgjithshëm i UÇK-së edhe për një fakt tjetër, për faktin se ai u shndërrua në simbol i shqiptarit të kërkuar nga rilindësit tanë. Kjo bëri që çdo shqiptar i pastër, prej atij momenti deshtë t'i ngjante Adem Jasharit, deshtë të bëhej si ai, deshtë të bëhej shëmbëlltyra e tij: patriot, trim, i guximshëm, i besës, i ndershëm dhe jo dredharak e i djallëzuar. Që ky lloj shqiptari të bindej se ish bërë si Adem Jashari, duhej të shihej në pasqyrë. Dhe ajo pasqyrë që e tregonte të plotë e pa deformime ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Vetëm atje e shihje veten në pasqyrë. Kështu Adem Jashari u shndërrua në simbol i shqiptarisë dhe në simbol i Komandantit dhe, do të mbetet i tillë.
Kjo dëshirë, që çdo shqiptar t'i ngjante Adem Jasharit, "infektoi" jo vetëm shqiptarët në Kosovë, por tërë kombin shqiptar, përfshi dhe diasporën shqiptare, prandaj erdhën mbi 10 mijë vullnetarë në Luftën për Çlirimin e Kosovës nga këto pjesë shqiptare. Ky fakt e realizoi plotësisht kuadrin e shndërrimit të Adem Jasharit në simbol të Luftës dhe të komandantit për Çlirimin e Kosovës. Çdo Luftë Çlirimtare ka nevojë për një simbol, ndryshe luftëtarët nuk kanë mundësi me kë të krahasojnë veprën e tyre. Në rast se luftërat çlirimtare nuk kanë një simbol, të cilin populli e adhuron deri në mit, (i cili mund të jetë individ ose organizatë a forcë politike), është e vështirë që ushtria çlirimtare, e cila krijohet në atë luftë, të predominohet nga idealistët patriotë, ose e thënë ndryshe, nga idealistët e vërtetë të kombit.
Këtë dukuri po e ilustrojmë me faktin se vetëm nga Republika e Shqipërisë londineze kemi rreth 200 vullnetarë, nga radhët e të cilëve dhanë jetën për lirinë e Kosovë 30% e tyre, nga që e quanin për nder të quheshin Adem Jasharë. Kjo është arsyeja pse ata iu bashkuan asaj lufte, pa patur as edhe një lidhje me asnjë forcë politike apo politikan shqiptar, përveç se me shpirtin e tyre të idealistit shqiptar. Ata shkuan në Kosovë dhe u rreshtuan në radhët e UÇK-së nga që deshën të bëheshin shqiptarë si Adem Jashari, ose të paktën t'i shëmbëllenin sado pak atij, pasi, në atë periudhë që u mblodhën vullnetarët, (para ndërhyrjes së NATO-s), as nuk dihej e as nuk deklarohej se kush ishte në udhëheqje të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të UÇK-së, pasi, kushdo që të merrte guximin e të deklarohej komandant, e dinte se nuk kishte as një vlerë dhe nuk ishte i besueshëm para mitit të Adem Jasharit.
Edhe pse periudha e luftës me armë e Adem Jasharit ishte e shkurtër, ajo ishte shumë impozante dhe pati rrjedhoja të rëndësishme për luftën e shqiptarëve, ndaj dhe ai u shndërrua në simbol. Adem Jashari, me atë akt heroik, e tronditi Serbinë; u hoqi shqiptarëve frikën e pathyeshmërisë së Serbisë, të cilën nuk e kishin bërë as lufta në Bosnjë dhe as ajo në Kroaci; me aktin e tij ai krijoi te pjesa më e shëndoshë e popullit shqiptar bindjen se liria Kosovës mund t'i vinte vetëm përmes gjuhës së armëve dhe se lufta e jonë do të shënonte fillimin e fundit të Serbisë pushtuese e militariste.
Adem Jashari, duke u shndërruar në Simbol i shqiptarizmes së vërtetë, ai i ngacmoi ndjenjat atdhetare të popullit të tij. Ky është funksioni i simbolit kombëtar. Simboli kombëtar vë në lëvizje jo vetëm mendimin e njerëzve, por edhe ata vetë si dhe kohën kur ai del në skenë. Paralel me këto, simboli, njëkohësisht vë në lëvizje edhe mëkatarët së bashku me armiqtë, (kalorësin e dytë). Kjo është arsyeja pse rruga që tregojnë simbolet është shumë e vështirë; ndaj dhe jo i gjithë populli imiton simbolin, pasi ka shumë rreziqe, mes veti dhe me armikun. Simboli vë në lëvizje edhe ata që thuhet se rrinë indiferentë, të cilët nuk është e vërtetë se futen më thellë në guaskën e tyre të vetizolimit. Jo, ata bëhen pehlivanë, duke përfituar të mira materiale, ose duke u hedhur herë në njërin krah e herë në tjetrin, ose bëjnë propagandë të kamufluar kundër shpëtimtarëve.
Simboli ka avantazhin tjetër, ai lejon që të hyjë shpejtë në veprim kodimi dhe zbërthimi i veprimeve që duhet të kryhen, pavarësisht se ka edhe disavantazhin, nga që të tregon të vërtetën e ekzistencës së vështirësive dhe të rreziqeve të atyre veprimeve. Por, megjithatë, simboli vë në lëvizje tërë energjitë fizike dhe mendore të kombit, përmes së cilave kombi do t'u afrohet shumë afër zgjidhjeve më adekuate.
Një avantazh tjetër i simbolit kombëtar është se, ai të frymëzon për të zhvilluar imagjinatën për parashikimin e veprimeve të ardhshme, duke iu afruar sa më shumë zgjidhjes më optimale. Simboli është një udhërrëfyes i përgjithshëm për një lëvizje të caktuar ose sistem të caktuar shoqëror, i cili jep mënyrën e zgjidhjes të atij problemi apo sistemi, e që bazohet në aplikimin e veçantë të zgjidhjes që simboli rekomandon.
Simboli presupozon ndryshime rrënjësore dhe shumë të mëdha në një gjendje apo periudhë të caktuar shoqërore, i cili merr një kohë të caktuar për ta realizuar atë ndryshim. Si i tillë, simboli bëhet ushqyes i shpresave dhe i aspiratave për një shoqëri të tërë. Pra, simboli kthehet në kulturë të veçantë, mbi bazën e së cilës, shoqëria, e frymëzuar prej tij, ndryshon të tashmen dhe të ardhmen e vet, duke e zëvendësuar psikologjinë e popullit me një psikologji të re; prandaj dhe quhet simbol, sepse ka kuptim të njëjtë për të gjithë pjesëtarët e shoqërisë, pasi të gjithë ata janë të prirur të kenë të njëjtat parashikime ose karakteristika. Duke patur një ndikim të tillë, simboli ndihmon ta bashkojë popullin, pavarësisht nga ndryshimet e deri djeshme të tyre në mendësitë politike, ideologjike dhe në besimet fetare.
Që të shndërrohesh në simbol shpirtëror e kombëtar, dihet se duhet të plotësohen dy kushte. E para, duhet që të kesh kryer një varg aksionesh (luftërash) të suksesshme e të njëpasnjëshme drejt ëndrrës kombëtare dhe të kesh një numër të madh grumbullimesh, pa e humbur asimetrinë optimale, sikundër ndodhi me Skënderbeun.
Por, së dyti, mundet të shndërrohesh në simbol shpirtëror e kombëtar edhe me një akt të vetëm heroik, ku përmasat e atij akti të jenë sa shumatorja e shumë luftimeve apo betejave luftarake. Akti i familjes së Adem Jasharit ishte i tillë, pasi ai akt shkaktoi një turbullirë jo dhe shumë të butë në trajtesë, jo vetëm të mediave shqiptare (kuptohet, disa pozitive e disa negative), deri atëherë indiferente, por edhe në ato Evropiane dhe botërore, gjë që e ktheu në akt shumë familjar për shumicën e shqiptarëve.
Pjesa më e madhe e popullit e konsideroi atë si një simbol i domosdoshëm, që delte mbi dokumentet zyrtare, mbi institucionet e atëhershme shqiptare, mbi tërë liderët politikë e ushtarakë shqiptarë të marrë së bashku, pasi u përsëriti tërë shqiptarëve në botë kultin e Ilirisë, të Dardanisë dhe Arbërisë së periudhës antike; u kujtoi legjendën e lashtë të murrimit të asaj ndërtese që quhet liri kombëtare; u kujtoi bashkimin e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut; u kujtoi Lidhjen Famëmadhe të Prizrenit.
Bazuar në çfarë thamë deri tashti, për shndërrimin e Adem Jasharit në simbol të Luftës për Çlirimin e Kosovës dhe i Komandantit të asaj lufte, mund të dalim në disa përfundime.
Së pari, kur radhët e UÇK-së filluan të predominoheshin gradualisht nga idealistët e çështjes shqiptare, u bë e mundur që UÇK-ja të mos vihej nën kontrollin e agjenturave të Serbisë dhe atyre të tjerave, madje edhe në rast se kish rënë nën kontrollin e tyre, ky shtim i menjëhershëm i UÇK-së nga tërë kombi shqiptar, bëri të mundur që ajo të delte nga kontrolli i atyre agjenturave.
Së dyti, mund të themi me plot bindje se asnjë luftë çlirimtare nuk mund të përfundoi me fitore, po qe se nuk ka simbolin e saj, i cili të adhurohet të paktën nga pjesa dërmuese e pjesëmarrësve, mbështetësve dhe simpatizantëve të asaj lufte. Për këtë na bind jo vetëm lufta që u zhvillua në Kosovë në vitet 1997-1999 por edhe historia e jonë kombëtare, e cila tregon se kur kryengritjet tona nuk kanë patur simbole, nuk kanë patur as objektiva shumë të qarta dhe as kërkesa maksimale, sikundër pati kjo luftë. Këtë përfundim e vërtetuan katërçipërisht edhe luftërat në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, në vitet 2000-2001, pavarësisht se huazuan simbolin e UÇK-së.
Në këto kushte del e nevojshme që të pasqyrohet në mënyrë të organizuar dhe shkencore lufta e bërë për çlirimin e Kosovës, duke u angazhuar grupe pune për fusha të veçanta të asaj lufte dhe jo me parada e studime sporadike.